« Globic Press Author Agreement | Main | Submission of Academic and Scholarly Work »

The Future of Democracy in Europe [in Albanian]

E Ardhmja e Demokracise ne Europe: Trende, analiza dhe reforma politike (Paperback)
nga Philippe C. Schmitter (editor) dhe Alexander H. Trechsel (editor)

schmitter_small_cover.jpg

View larger image
Buy a hardcopy from Amazon.com
Download it in eBook PDF format for FREE.

Paperback: 132 pages
Publisher: Globic Press
Language: Albanian
ISBN-10: 0977666255
ISBN-13: 9780977666256

Title of the original publication in English:
The Future of Democracy in Europe: Trends, Analyses and Reforms.
ISBN10: 92-871-5570-4
ISBN13: 978-92-871-5570-2

This translation of The future of democracy - Trends, analyses and reforms, is published by arrangement with the Council of Europe.

Copyright © 2006 ALPSA, on Albanian translation,
Copyright © 2004 Council of Europe, on publication in English and French.


PJESE NGA LIBRI:

Hyrje

“Demokracia është një fjalë për diçka që nuk ekziston”
Karl Popper

Si për diçka, që nuk ekziston, për demokracinë sigurisht është folur shumë kohët e fundit. Për më tepër, të paktën në Europë, demokracia “e vërtetë ekzistuese” duket se ka një të ardhme premtuese, ndonëse po përballet me një diversitet të paprecendentë sfidash dhe mundësish. Çështja nuk është nëse sistemet politike kombëtare, nënkombëtare dhe mbikombëtare, që përbëjnë Europën, do të bëhen apo do të mbeten demokratike, por nëse cilësia e këtij rrjeti rajonal demokracish do të jetë e mjaftueshme për të siguruar mbështetjen vullnetare dhe përkrahjen legjitime të qytetarëve të saj. Sepse është tashmë e evidentuar më së miri që qytetarët e Europës, ndërsa mund të mos jenë dakord me praktikat e saj ekzistuese apo mund të mos e dinë se ç’është ajo në të vërtetë, nuk do të tolerojnë kurrsesi jo-demokracinë.

Mal governo, me këtë kuptohen regjimet, që nuk u përgjigjen nevojave, që përfshihen në praktika korruptive, që mashtrojnë në proceset elektorale, që ndalojnë apo manipulojnë liritë bazë dhe që refuzojnë të jenë përgjegjëse para qytetarëve të tyre, këto nuk kanë një të ardhme të sigurt në këtë pjesë të botës. Ato jo vetëm mund të rrëzohen nga revolta e qytetarëve të tyre, por këto veprime mund edhe të fitojnë mbështetjen e sistemeve politike kombëtare, nënkombëtare dhe mbikombëtare të rajonit.

Arsyeja kryesore për këtë optimizëm është e thjeshtë: demokratizimi i vendeve pranë Europës dhe përfshirja më pas e tyre brenda rajonit si një e tërë. Nuk ka krahasim më të mirë se zgjerimi i anëtarësisë së Këshillit të Europës nga 21 shtete në vitin 1988 në 45 shtete në vitin 2003 dhe zgjerimi i Bashkimit Europian (BE) nga 15 në 25 shtete në vitin 2004. Me suksesin e arritur nga përpjekjet kombëtare për ndryshimin e regjimeve në pjesën e saj Lindore, Europa është bërë dhe duhet të mbetet një zonë e zgjeruar e “paqes së përjetshme”, në të cilën të gjitha sistemet politike kanë mundësinë të zgjidhin dallimet e paevitueshme të interesave të tyre paqësisht nëpërmjet negociimit, kompromisit dhe vendimit gjyqësor.

Përveç kësaj, ekziston një rrjet i përpunuar mbarëeuropian institucionesh transnacionale, ndërqeveritare dhe joqeveritare në ndihmë të zgjidhjes së konflikteve të tilla dhe për të hartuar norma, që parandalojnë përsëritjen e tyre në të ardhmen.

Në mënyrë ironike, ky kontekst rajonal shumë më i favorshëm paraqet dilemat e veta për demokracinë. Shumë, në mos shumica, prej zhvillimeve më të rëndësishme historike në institucionet demokratike dhe praktikat e ndjekura kanë ardhur bashkë me luftra ndërkombëtare, revolucion kombëtar dhe luftë civile. Fatmirësisht, asnjë prej këtyre mjeteve Arkimediane për të ngritur peshë ndryshime të përmasave të mëdha nuk po përdoren në Europën pacifiste të ditëve të sotme, edhe pse rebelimi kundër Mal governo, korrupsionit, demokracisë apatike apo të papërgjegjshme, është ende një mjet bazë shumë i arritshëm prej qytetarëve. Sipas supozimit tonë demokracia nuk mund të jetojë vetëm me paqe, edhe pse fuqizohet prej saj, por sidoqoftë mund të mësojë të reformojë institucionet dhe praktikat e saj në një mënyrë të përshtatshme dhe të bashkrenduar. Ne nxjerrim pesë konkluzione prej kësaj gjendjeje të paprecendentë marrëdhëniesh.

Së pari, demokracitë e konsoliduara në Europën Perëndimore dhe Jugore do ta kenë gjithnjë e më të vështirë të legjitimojnë vetveten duke i krahasuar rezultatet e tyre me ato të ndonjë mënyre alternative dominimi, qoftë reale apo të imagjinuara. Tani që demokracia liberale është kthyer në normë në mbarë Europën dhe autokracia e hapur vazhdon vetëm në shtetet me kultura dhe struktura sociale shumë të ndryshme, standardet e vlerësimit se çfarë bëjnë qeveritë (dhe mënyrën e realizimit të atyre, që bëjnë ) do të bëhen gjithnjë e më të “brendshme” për diskursin për teorinë e demokracisë normative, pra, për atë çka konceptime të ndryshme të demokracisë kanë premtuar në kohë dhe për çka qytetarë kanë luftuar kaq shumë në të shkuarën. Prandaj, duhet të jetë një tendencë drejt një konvergjence në institucionet formale dhe praktikat informale brenda Europës, e cila nga ana e vet do të çojë drejt game më të ngushtë dhe më të lartë të standardeve politike.

Së dyti, demokracitë e reja në Europën Qendrore dhe Lindore dhe në pjesët perëndimore të ish-Bashkimit Sovjetik do ta kenë gjithnjë e më të vështirë të legjitimojnë vetveten duke pretenduar se janë kaq shumë të ngarkuara prej trashëgimive autokratike përkatëse, saqë ka mundësi të mos jenë në gjendje t’i respektojnë normat e sjelljes dhe të arrijnë nivelet e performancës të vendosura nga demokracitë e konsoliduara. Standardet, që qytetarët e tyre të çliruar para disa vitesh do të përdorin për të vlerësuar qeveritarët e tyre, do të konvergojnë me shpejtësi me ato, që janë aktualisht në përdorim në pjesën tjetër të Europës. Sistemet politike, që nuk arrijnë të përmbushin këto standarde, do të përballen më shpesh me rrëzime elektorale nga pushteti dhe ndoshta mund të kërcënohen nga rebelimi popullor, veç nëse qeveritarët e ardhur në pushtet rishtazi do të respektojnë rregullat e përcaktuar prej demokracive “të vërteta ekzistuese” në Perëndim.

Së treti, në të dyja rastet, sistemet politike të përfshira do të jenë zakonisht në gjendje të përmirësojnë cilësinë e institucioneve dhe praktikave të tyre demokratike respektive me anë të reformave të pjesshme dhe graduale. Për më tepër, këto reforma duhet të hartohen, miratohen dhe zbatohen sipas normave tashmë ekzistuese. Rrallë, ndoshta anjëherë, do të paraqitet rasti për një ndryshim më të thellë, në shkallë të gjerë apo “anormal”. Në fund të fundit, sa ndryshime të rregullave të demokracisë mund të priten prej qeveritarëve, të cilët kanë përfituar vetë prej këtyre rregullave? Rotacionet e zakonshme të partive dhe aleancave partiake brenda dhe jashtë pushtetit, në rastin më të mirë do të hapin mundësi modeste për ndryshim.

Së katërti, për këtë arsye ne duhet të udhëhiqemi nga “posibilizmi” në zgjedhjet tona në lidhje me reformat potenciale të institucioneve formale dhe praktikave informale. Ne do të merremi më pak me çfarë mund të dalë në mënyrë “probabiliste” prej sfidave dhe mundësive të ndryshme, me të cilat përballen demokracitë bashkëkohore, dhe do të merremi më shumë me atë, çka besojmë se është krejt e mundur për to – duke presupozuar që politikanët “e vërtetë ekzistues” mund të binden prej qytetarëve “të vërtetë ekzistues” që zbatimi i këtyre reformave do të çonte në një përmirësim të dukshëm të cilësisë së demokracive respektive.

Së fundmi, ne duhet të tregojmë vëmendje ndaj parimit të “efektit të tërthortë”, që nënkupton se ne nuk do të kufizohemi në vlerësimin vetëm të efekteve të mundshme të një reforme të vetme, por gjithmonë do të përpiqemi të duke përdorur aftësitë më të mira kolegjiale dhe ndërdisiplinore për të zbuluar ndërlidhjet dhe efektet e jashtme, që ka të ngjarë të shfaqen, nëse dhe kur disa reforma zbatohen ose njëkohësisht ose (çka është më e mundur) njëra pas tjetrës. Sikurse tha edhe njëri prej autorëve gjatë diskutimeve “E rëndësishme është përzierja” (cituar nga R.W.Rhodes).

Hipoteza jonë udhëzuese gjatë gjithë këtij libri do të jetë: e ardhmja e demokracise në Europë mbështetet më pak në fortifikimin dhe përjetësimin e insitucioneve formale dhe praktikave informale ekzistuese dhe më shumë në ndryshimin e tyre. “Çfarëdolloj forme që të marrë, demokracia e pasardhësve tanë nuk do të jetë dhe nuk mund të jetë demokracia e paraardhësve tanë” (Robert Dahl). Me fjalë të tjera, me qëllim që të mbetet e njëjta, d.m.th. që të ruajë legjitimitetin e vet, demokracisë do t’i duhet të ndryshojë e të ndryshojë në mënyrë të dukshme – pace de Lampedusa – dhe kjo ka gjasa të ndikojë në të gjitha nivelet komplekse të bashkimit dhe pozicionet e vendimmarrjes.

Këtu nuk ka asgjë të re. Demokracia i është nënshtruar një numri të madh transformimesh të rëndësishme në të kaluarën me qëllim ri-afirmimin e parimeve të saj kryesore: sovranitetit të qytetarëve të barabartë dhe llogaridhënien e qeveritarëve të pabarabartë. Kjo u rrit në shkallë nga qyteti-shtet në shtetin kombëtar; zgjeroi qytetarinë e vet nga një oligarki e ngushtë mashkullore në një publik të gjerë masiv të përbërë nga burra e gra; zmadhoi fushën e veprimit nga mbrojtja prej agresorëve dhe administrimin e drejtësisë në një shpalosje të tërë politikash të shoqëruara me shtetin e mirëqenies.

Synimet tona në këtë libër janë:

-- të identifikojmë sfidat dhe mundësitë, me të cilat përballet demokracia bashkëkohore Europiane për shkak të ndryshimeve të shpejta dhe të pakthyeshme në kontekstet e saj kombëtare, rajonale dhe globale;
-- të specifikojmë proceset dhe aktorët në institucionet formale dhe praktikat informale, që po ndikohen prej këtyre sfidave dhe mundësive të jashtme si dhe prej rrymave të brendshme, që janë pjesë të vetë demokracisë.
-- të propozojmë reforma potenciale dhe të dëshirueshme, që do të përmirësonin cilësinë e institucioneve demokratike në Europë.




Buy a hardcopy from Amazon.com
Download it in eBook PDF format for FREE.

Post a comment

(If you haven't left a comment on our site before, your comment may need to be approved. Thanks for waiting.)

(c) All rights reserved. Globic Press, 2004-2008
Webstats4U - Free web site statistics
Personal homepage website counter